
''Intervista me Cambiasson ''.
Mesfushori zikaltër i Interit, Esteban Kambiaso, beson në kualifikimin e Interit përballë Mançester Junajtid, por njëkohësisht shprehet i bindur se sivjet kampionatin, vetëm Interi mund ta humbasë.
Kambiaso, a do jeni ju kapiteni i ardhshëm i Interit?
Jam mirë edhe kështu, të qenit kapiten nuk është një nga objektivat e mi për momentin.
Ka ndryshuar ndonjë gjë për ty, me largimin e Mançinit dhe ardhjen e Mourinjos? Me sa duket, tani të duhet të vraposh më shumë?
Është vetëm një çështje taktike. Tani shkoj më pak në zonën kundërshtare, por më mirë kështu.
Çfarë ka ndryshuar në stërvitjen e Interit me Mourinjon?
Gjatë vitit bëjmë pak stërvitje, sepse na duhet të luajmë çdo tri ditë. Por i vetmi dallim ndërmjet Mançinit dhe Mourinjos është që këtij të fundit nuk i pëlqen të punojë me skuadrën në palestër.
Mendoni se gjatë ndeshjes Inter-Mançester ishit disi si të frikësuar?
Gjatë pjesës së parë kemi matur fortësinë e Mançesterit, e pastaj jemi hedhur në sulm. Pak a shumë, kemi bërë të njëjtën gjë që bëhet në një lojë shahu. Pastaj, gjatë pjesës së dytë kuptuam që mund të rrezikonin më shumë. Për fat të mirë nuk pësuam gol, por për fat të keq nuk arritëm të shënonim.
Sipas jush, a impresionohet skuadra e Interit kur luan në Champions?
Nuk besoj se e vuajmë psikologjikisht. Në Champions duhet të luash në një mënyrë ndryshe, nuk është çështje impresionimi, apo jo. Pastaj nëse ne si skuadër do impresionoheshim përballë ekipeve të mëdha, nuk do kishim fituar aq shumë trofe që kemi fituar gjatë viteve të fundit, por ama për ndeshjen e ardhshme ndaj Mançesterit, duhet të administrojmë sa më shumë topin, e të përpiqemi të shënojmë.
Besoni se keni ndonjë shans për t’u kualifikuar ndaj Mançesterit?
Për mua kualifikimi është një diskutim i hapur, por mos harroni se edhe atyre u duhet të fitojnë për t’u kualifikuar.
Pse Ibrahimoviç është kaq pak vendimtar në ndeshje të rëndësishme?
Është e padrejtë që një skuadër të presë vetëm nga një lojtar. Besoj se ka pasur shumë ndeshje vendimtare, ku Ibra ka rezultuar shumë i rëndësishëm për ne. Në Itali është bërë zakon që një lojtar quhet vendimtar kur ai shënon. Unë nuk jam këtu për ta mbrojtur, por Ibra edhe kur luan dobët, arrin të jetë vendimtar për Interin.
A është Hulio Sezar, portieri më i fortë në botë?
Për momentin po. Duke qenë se Bufon sapo është rikthyer nga dëmtim që e ka penalizuar disi, për momentin është Hulio Sezar, portieri më i fortë në botë.
Kristiano Ronaldo ndaj Interit ka luajtur shkëlqyeshëm, mendon se është më i shpejtë se ju?
Në futboll nuk vlen vetëm shpejtësia. Ronaldo i tregoi të gjithë botës vjet se sa vlen. Shpresojmë që sivjet vlerat e tij t’i tregojë vetëm në Premier Ligë e jo në Champions.
A është vërtetë Kristian Ronaldo numri një në botë?
Mesi për momentin është një hap më lart se ai.
A ka shanse Roma për t’u kualifikuar kundër Arsenalit?
Nuk e di, por mungesa e De Rosit e ka penalizuar shumë skuadrën e Romës. Megjithatë, besoj se do jetë një ndeshje e hapur. E për mendimin tim, asgjë nuk ka mbaruar.
Duke parë Juventusin shumë prapa, mendoni se tani e keni siguruar titullin Kampion të Italisë?
Roma aktualisht po ecën mirë, ndërsa Juventusi dhe Milani besoj se do jenë konkurrente serioze deri në fund të kampionatit, por në këtë pikë të kampionatit, titullin mund ta humbim vetëm ne.
Inter-Roma, a do jetë një ndeshje vendimtare për kampionatin?
Në kampionat të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme.
Ç’mund të na thoni për takimin Çelsi-Juventus?
Juventusi pati disa raste për të shënuar. Tani Çelsi do ketë 15 ditë më shumë për të punuar me trajnerin e ri.
Besoni se Ranieri në Torino kundër Çelsit do të luajë me tre sulmues për të rikuperuar avantazhin e takimit të parë?
S’besoj se do luaj që në fillim të takimit me tre sulmues, këtë zgjedhje mund të bëj gjatë 15 minutave të fundit të takimit.
A janë skuadrat angleze më të forta se ato italiane?
E tregojnë rezultatet, por megjithatë, duhet të presim edhe 15 ditë për të marrë përgjigjen e saktë. Për mendimin tim është gjithçka e hapur.
Kë ëndërroni në finalen e Championsit?
Nuk ëndërroj asgjë për momentin, e vetmja gjë që dua aktualisht është që Interi të kualifikohet përballë Mançesterit.
Thonë se Aguero mund të vijë tek Interi?
Aguero thotë se ndihet i lumtur në Madrid dhe besoj se nuk do largohet nga Spanja në fund të sezonit. Megjithëse do më pëlqente ta kisha tek Interi.
Çfarë marrëdhëniesh keni me Maradonën?
Për mua është një idhull. Maradona ka bërë përzgjedhjet e tij, ndërsa unë vazhdoj të punoj tek Interi, pastaj nëse do më japë mundësin të luajë për Kombëtaren, do shkoj me kënaqësinë më të madhe.
A mund ta fitojë Kombëtarja argjentinase Kupën e Botës?
Argjentina ka lojtarë fantastikë në organikën e saj, pastaj nëse Mesi vazhdon në këto nivele, mund të bëjë diferencën.